Ministry of Tourism, Culture and Sport

Në Dubai, në zemër të industrisë globale të mikpritjes, po zhvillohet Future Hospitality Summit – FHS World 2025, një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e turizmit, që mbledh mbi 200 folës dhe delegatë nga më shumë se 50 vende të botës.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përfaqëson Shqipërinë në këtë platformë të nivelit të lartë, ku diskutohet mbi transformimin e turizmit global, politikat e qëndrueshme dhe trendet e reja të zhvillimit të sektorit.

Ministri Gonxhja u shpreh se është një privilegj të përfaqësosh Shqipërinë në një forum ndërkombëtar kaq prestigjioz, duke theksuar se vendi ynë po prezanton një vizion të ri për turizmin shqiptar – të orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm, inovacionit dhe investimeve me vlerë të lartë, si dhe drejt shndërrimit të Shqipërisë nga një destinacion sezonal në një destinacion dymbëdhjetëmujor.