Ministry of Tourism, Culture and Sport

Në Future Hospitality Summit 2025 në Dubai, u hap pavijoni shqiptar “Albanian Soundscapes”, kuruar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT), i cilësuar si një ndër më të bukurit dhe më të mëdhenjtë mes mbi 50 vendeve pjesëmarrëse. Koncepti i këtij pavioni sjell Shqipërinë nëpërmjet historisë, kulturës dhe muzikës, duke treguar anën më të bukur të vendit përmes destinacioneve turistike, projekteve arkitekturore dhe tingujve të gdhendur në vinil që bashkojnë traditën, shpirtin shqiptar dhe vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe mikpritjes. Në këtë ngjarje ndërkombëtare, Shqipëria prezantohet si një histori suksesi, duke u shndërruar në një ftesë për të gjithë partnerët ndërkombëtarë që dëshirojnë të bëhen pjesë e së ardhmes turistike shqiptare. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja u shpreh se “Jam vërtet i lumtur që ekipet tona realizuan një pavion kaq të thjeshtë, të ngrohtë dhe përfaqësues, që flet për dashurinë me të cilën ne e mirëpresim çdo vizitor dhe partner. ‘Albanian Soundscapes’ është një dritare që tregon se si Shqipëria po ndërton me pasion dhe profesionalizëm imazhin e saj turistik në arenën ndërkombëtare.” Future Hospitality Summit është një ndër forumet më të rëndësishme globale në fushën e turizmit dhe mikpritjes, që mbledh çdo vit përfaqësues qeveritarë, ekspertë dhe investitorë nga mbarë bota për të ndarë ide dhe strategji mbi të ardhmen e industrisë.