Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Në Bashkinë e Prespës, në Greqi, së bashku me ministren greke të Kulturës, Lina Mendoni, dhe ambasadoren e Shqipërisë, Luela Hajdaraga, diskutuam forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e trashëgimisë kulturore dhe artit.

Së shpejti nisin punimet për restaurimin e banesës së Faik Konicës, në fshatin Konicë në Greqi. Ky është një lajm i rëndësishëm për trashëgiminë dhe për ruajtjen e kujtesës së një prej figurave më të shquara të mendimit, letërsisë dhe diplomacisë sonë.

Ministria e Kulturës së Greqisë ka konfirmuar se banesa ka fituar statusin e objektit me vlerë historike dhe kulturore dhe se janë siguruar fondet për restaurimin e saj. E falënderova homologen greke për përgjigjen konkrete dhe për angazhimin në mbrojtjen e kësaj pasurie. Ky është një rezultat i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe respektit mes dy vendeve tona, që i jep trashëgimisë kulturore vendin që meriton në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Në fokus të takimit ishte avancimi i marrëveshjes për rikthimin në Shqipëri të dy objekteve arkeologjike nga Butrinti, të sekuestruara në Greqi që prej vitit 2002, dhe forcimi i bashkëpunimit kundër trafikimit të paligjshëm të pasurive kulturore.

Diskutuam gjithashtu për një mbështetje nga pala greke për restaurimin e Kishës së Shën Nikollës në Mesopotam dhe pikturave të saj murale.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua zgjerimit të Memorandumit të Bashkëpunimit të vitit 2022, për të përfshirë kërkimet dhe gërmimet arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Finiqit, restaurimin e ikonave dhe objekteve të trashëgimisë kulturore, si dhe organizimin e trajnimeve profesionale për restauratorët në Selanik.

Në fushën e artit dhe kulturës bashkëkohore, diskutuam mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet teatrove dhe operave kombëtare të dy vendeve, përmes shkëmbimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta.

Një partneritet që forcon lidhjet kulturore mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke e kthyer trashëgiminë dhe artin në ura bashkëpunimi, zhvillimi të qëndrueshëm dhe afrimi mes komuniteteve tona

Foto album, kliko këtu!