Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Thirrje për Projekte: Pavijoni Shqiptar në Bienalen e Venecias, 2027
Ekspozita Ndërkombëtare e Arkitekturës, Bienale e Venecias, 2027, edicioni 20-të

Venecia, 08 Maj – 21 Nëntor 2027
(para-hapje 6 dhe 7 Maj)

Në kuadrin e Bienales së ardhshme Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, Ministria e
Turizmit, Kulturës dhe Sportit në cilësinë e komisarit të pavijonit Shqiptar, shpall thirrjen për
paraqitjen e projektit për pavijonin shqiptar në Bienalen e Arkitekturës që do të jetë e hapur për
publikun në periudhën 08 maj – 21 nëntor 2027 (para-hapje 6 dhe 7 maj) në Giardini, Arsenale
dhe vende të tjera në Venecia, me temë:

“Do Architecture — For the Possibility of Coexistence Facing a Real Reality”
“Të bësh arkitekturë — Për mundësinë e bashkëjetesës përballë realitetit konkret”.
Tema e kësaj Bienaleje “Do Architecture — For the Possibility of Coexistence Facing a Real
Reality”është përzgjedhur nga Kuratori i edicionit të 20-të Wang Shu dhe Lu Wenyu, i cili e ka
motivuar zgjedhjen e tij si vijon:
Tema vendos në qendër arkitekturën si praktikë konkrete, të lidhur me vendin, materialet, mjeshtëritë dhe
komunitetet. Ajo eksploron mundësitë e bashkëjetesës ndërmjet natyrës dhe mjedisit të ndërtuar, kujtesës
dhe inovacionit, praktikave vendore dhe ndërtimit bashkëkohor, si dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore
dhe transformimit shoqëror.
Në këtë kuadër, thirrja fton projektide të mbështetura në kërkim dhe në një vëzhgim të kujdesshëm të
arkitekturës, territorit dhe shoqërisë shqiptare. Propozimet synohet të evidentojnë njohuritë, veprimet dhe
praktikat përmes të cilave ndërtohet, banohet, përshtatet, riparohet dhe transformohet mjedisi në Shqipëri,
duke i dhënë një interpretim origjinal temës së përgjithshme të Bienales.
Pyetja orientuese për zhvillimin e propozimeve është:
Çfarë njohurish dhe praktikash ekzistojnë në Shqipëri për të ndërtuar, banuar, përshtatur,
riparuar dhe krijuar mundësi bashkëjetese?
Për orientimin e aplikuesve, propozohen pesë drejtime kërkimi:
1. MËNYRAT E NDËRTIMIT
Si ndërtohet në Shqipëri dhe përmes cilave materiale, teknika, mjeshtëri, aktorë dhe njohuri? Ky drejtim
fton eksplorimin e proceseve konkrete të ndërtimit, nga mjeshtëritë tradicionale te praktikat dhe
teknologjitë bashkëkohore. Në fokus mund të jenë materialet vendore, puna e mjeshtërve dhe punonjësve
të ndërtimit, marrëdhëniet me projektuesit dhe inxhinierët, si dhe transmetimi i aftësive ndërmjet brezave.
2. NDËRTIMI ME ATË QË EKZISTON

2
Si mund të punohet me ndërtesat, materialet, peizazhet dhe kujtesën që kemi trashëguar? Ky drejtim
trajton ripërdorimin, riparimin, përshtatjen, rijetëzimin dhe transformimin e asaj që ekziston. Propozimet
mund të eksplorojnë ndërtesa të braktisura, struktura industriale apo ushtarake, banesa të papërfunduara,
fshatra, infrastruktura dhe praktika të përdorimit të hapësirës, duke shqyrtuar mundësitë për vazhdimësi
dhe funksione të reja.
3. TERRITORI SI ARKITEKTURË
Si formësohet territori i Shqipërisë dhe si mund të projektohet e të kujdesemi për të? Ky drejtim e zgjeron
vështrimin përtej ndërtesës, duke përfshirë peizazhin, bujqësinë, ujin, infrastrukturën, vendbanimet dhe
turizmin. Në fokus është marrëdhënia ndërmjet ndërtimit dhe territorit, si dhe mënyra se si ndërhyrjet në
të ndikojnë te natyra, komunitetet dhe lidhjet ndërmjet zonave urbane dhe rurale.
4. ARKITEKTURA E PËRDITSHMËRISË
Çfarë mund të mësojë arkitektura nga mënyra se si njerëzit në Shqipëri ndërtojnë, përshtatin dhe banojnë
hapësirat? Ky drejtim fton shqyrtimin e jetës së përditshme, vetëndërtimit, transformimeve informale,
migracionit dhe ndryshimit të nevojave të banimit. Propozimet mund të trajtojnë mënyrat se si individët
dhe familjet ndryshojnë banesat, përdorin hapësirat ndërmjet ndërtesave dhe përshtatin mjedisin me
nevojat e tyre.
5. NDËRTOJMË SË BASHKU
Si mund të kontribuojë arkitektura në mënyrat e të jetuarit së bashku? Ky drejtim trajton pjesëmarrjen e
komuniteteve, institucioneve publike, projektuesve, ndërtuesve dhe përdoruesve në krijimin dhe kujdesin
për hapësirat e përbashkëta. Propozimet mund të eksplorojnë hapësirën publike, banimin, burimet e
përbashkëta, infrastrukturën komunitare dhe format e vendimmarrjes e të veprimit kolektiv.
Këto pesë drejtime janë pika orientimi dhe nuk përbëjnë tema të detyrueshme apo shteruese.
Aplikuesit mund të trajtojnë një ose disa prej tyre, të ndërthurin çështjet që ato ngrenë ose të propozojnë
një drejtim tjetër, duke argumentuar qartë lidhjen me kontekstin shqiptar dhe temën e përgjithshme të
Bienales.
Çdo projektide duhet të artikulojë një qëndrim të qartë dhe origjinal kuratorial dhe të shpjegojë
përkthimin e tij në një përvojë ekspozuese për Pavijonin Shqiptar. Propozimi duhet të përcaktojë mjetet
hapësinore, materiale dhe vizuale përmes të cilave ideja do t’i komunikohet publikut të gjerë dhe
profesionistëve, si dhe të paraqesë një qasje të realizueshme për zhvillimin dhe zbatimin e saj.
Synimi i thirrjes është të identifikojë një propozim kuratorial që sjell në vëmendjen ndërkombëtare
njohuri, përvoja dhe praktika të kontekstit shqiptar, duke kontribuar në diskutimin mbi arkitekturën si
veprim dhe mundësi bashkëjetese.
Për më shumë informacion mbi tematikën dhe edicionin, vizitoni faqen zyrtare të Bienales së Arkitekturës
2027.
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit hap thirrjen për projekt-ide të frymëzuara nga një
vëzhgim i kujdesshëm i arkitekturës bashkëkohore dhe i shoqërisë shqiptare, sidomos aty ku kjo

3
bën ndryshimin, si dhe mjetet vizuale përmes të cilave ato do t’i komunikohen publikut të gjerë
dhe profesionistëve.
Ekspozita e 20-të Ndërkombëtare e Arkitekturës do të prezantojë, si zakonisht, Pjesëmarrjet
Kombëtare me ekspozitat e veta në pavijonet në Giardini dhe Arsenale, si dhe në qendrën
historike të Venecias.

PROFILI I KANDIDATËVE

– Të jenë studio arkitekturore apo ekipe multidisiplinare të cilët kanë në përbërje të tyre
arkitektë (drejtues i grupit), artistë, graphic designer, kritikë arti, artizanë, sociologë urbanë,
planifikues urbanë etj.
– Të dëshmojnë njohuri shumë të mira mbi arkitekturën shqiptare.
– Të kenë përvojë kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e arkitekturës, arkitekturës eko-
miqësore, urbanistikës dhe peizazhit e cila të dëshmohet përmes portofoleve të punimeve.
– Mund të jenë shqiptarë apo të huaj.

KANDIDATI DUHET TË JETË I AFTË:

– Të kryejë studimin dhe të zhvillojë konceptin origjinal të shoqëruar me një rrëfim
kuratorial koherent.
– Të hartojë projektin kuratorial të integruar për pavijonin shqiptar në Bienale së bashku
me gjithë përmbajtjen e ekspozitës përfshirë këtu fotografi, instalacione, modele dhe material të
shkruar për panelet e ekspozitës.
– Të hartojë programin kulturor që do të shoqërojë pavionin shqiptar përgjatë kohëzgjatjes
së Bienales.
– Të realizojë kurimin, zbatimin dhe menaxhimin e plotë të projektit .
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit inkurajon të gjithë kandidatët të
bashkëpunojnë me kuratorë vendas dhe/ose të huaj që kanë përvoja respektive në
organizime dhe pjesëmarrje në evente të ngjashme.

PËRZGJEDHJA DO TË KALOJË NËPËR DY FAZA:

Faza I: është faza e përzgjedhjes së projekt-ideve më të mira. Kjo fazë është e hapur nga data 09
Tetor 2026 deri më 09 Nëntor 2026 ora 24.00.
Shpallja e fituesve të Fazës I: Juria do të bëjë përzgjedhjen e 3 projekt-ideve më të mira, që do
të kualifikohen për në fazën e dytë të konkursit, brenda datës 16 Nëntor 2026.

Faza II: është faza e paraqitjes së projekteve të plota të pavionit shqiptar në Bienale mbi projekt-
idetë e kualifikuar në fazën e parë. Këto projekte duhet të paraqiten deri me datë 20 Dhjetor
2026, ora 24.00. Juria do të shpallë kërkesat mbi paraqitjen e projektit të plotë menjëherë pas
shpalljes së fituesve të fazës së parë.
Shpallja e fituesit: Projekti dhe ekipi fitues do të shpallet brenda datës 21 – 24 Dhjetor 2026.

4

PROCEDURA E PËRZGJEDHJES

Projekt-idetë dhe projektet e plota do të shqyrtohen nga një juri ndërkombëtare me 5 anëtarë.
Vlerësimi i Jurisë do të bazohet në kriteret e mëposhtme:
a. Qartësinë e projekt-idesë
b. Forcën e imagjinatës
c. Potencialin e zgjidhjes kuratoriale për të komunikuar me publikun
d. Qartësinë e temës dhe potencialin e të bërit të prekshëm, të dukshëm dhe të
komunikueshëm të temës.
e. Fuqinë artistike dhe vizuale të projektit (idesë) dhe kapacitetin e tij për t’u “përkthyer”
në një gjuhë dhe peizazh vizualisht të fortë
f. Fuqinë e ekipit/skuadrës për të reflektuar gjerësisht dhe thellësisht mbi temën e dhënë
dhe për të sjellë risi në përmbajtje.
g. Kapacitetin dhe eksperiencën për të komunikuar arkitekturën tek audienca dhe kritikët
si dhe për të zhvilluar audienca të reja.
DOSJA E KANDIDIMIT PËR FAZËN I:

Dosja e kandidatit duhet të përmbajë:
a. Formularin e kandidimit (shkarkojeni KËTU)
b. Një sinopsis të artikuluar qartë mbi temën e dhënë (1000 fjalë) “Do Architecture —
For the Possibility of Coexistence Facing a Real Reality”
c. Metodën e hulumtimit, gjetjet e parashikuara dhe si do të jetëzohen ato në pavijon.
d. Imazhe që ilustrojnë vizionin për ekspoziten
e. Portofoli i punimeve të realizuara nga ekipi dhe/ose anëtarët e tij.
f. CV-të e pjesëtarëve të ekipit dhe drejtuesit të tij (deri në një faqe secili).
Kandidatët janë të lirë të zgjedhin format dhe mjetet për paraqitjen e idesë së tyre. Ata ftohen të
respektojnë udhëzimet e përcaktuara nga Kuratori i Bienales së 20-të Ndërkombëtare të
Arkitekturës në Venecia që i gjeni në faqen e Bienales së Venecias 2027, www.labiennale.org.

TË DHËNA TEKNIKE PËR PAVIJONIN SHQIPTAR:

Pavijoni shqiptar do të vendoset në Arsenale. Planimetria, prerja dhe foto e pavijonit gjenden
KËTU.

Dorëzimi i dosjes:

Dosja duhet :
1. të përgatitet në dy gjuhë: shqip dhe anglisht
2. të dërgohet me postë (në formë të printuar dhe digjitale) në adresën: Ministria e
Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Rruga Aleksandër Moisiu, nr 76, ish Kinostudio
“Shqipëria e Re” Tiranë, dhe elektronikisht në adresën: biennale2027@mtks.gov.al
3. të dërgohet brenda datës 09 Nëntor 2026 ora 24.00 (Faza I).