Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Banka Botërore, me një grant prej 3 milionë dollarësh përmes BERZH, do të mbështesë përgatitjen e projektit për zhvillimin e integruar të ekosistemit turistik në Shqipëri, me përfitime konkrete për qytetarët, komunitetet dhe bizneset lokale. Nisma synon të lidhë më mirë bregdetin me zonat e brendshme, duke krijuar mundësi që më shumë destinacione natyrore e kulturore të përfshihen në itineraret turistike dhe që përfitimet e turizmit të shtrihen në më shumë zona të vendit.

Më shumë vizitorë gjatë gjithë vitit do të thotë më shumë aktivitet për bizneset lokale, më shumë të ardhura dhe mundësi për punësim më cilësor, ndërsa përmirësimi i infrastrukturës, shërbimeve dhe menaxhimit të destinacioneve do të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e ofertës turistike. Granti do të financojë planifikimin, studimet dhe identifikimin e investimeve prioritare, duke krijuar bazën për ndërhyrje që zhvillojnë destinacionet, mbështesin ekonomitë lokale dhe njëkohësisht ruajnë e promovojnë pasuritë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë.