Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

U zhvillua në Prishtinë takimi i parë i Komitetit Organizativ për Lojërat Mesdhetare “Prishtina & Durrësi 2030”, një projekt historik që do të shënojë një kapitull të ri për sportin shqiptar gjithëkombëtar. Zv/Ministri Endrit Hoxha përfaqësoi Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit në këtë takim.

Për herë të parë, Shqipëria, me Durrësin si një nga qytetet pritëse, do të mirëpresë një nga ngjarjet më të mëdha sportive në rajonin e Mesdheut. Ky është një moment krenarie dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të dëshmuar kapacitetet tona organizative, për të zhvilluar më tej infrastrukturën sportive dhe për ta promovuar vendin tonë në arenën ndërkombëtare.

Lojërat Mesdhetare “Prishtina & Durrësi 2030” janë shumë më tepër se një event sportiv. Ato përfaqësojnë një projekt strategjik të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, që kërkon vizion, bashkëpunim të ngushtë institucional dhe përkushtim të vazhdueshëm.

Komiteti Organizativ do të jetë mekanizmi që do të koordinojë këtë proces, duke bashkuar institucionet dhe partnerët drejt një qëllimi të përbashkët: organizimin me sukses të Lojërave Mesdhetare 2030 dhe lënien e një trashëgimie të qëndrueshme për sportin dhe brezat që do të vijnë.