Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Vlorë, në dëgjesën publike për projektin e restaurimit dhe rimuzealizimit të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, ku grupi i projektimit dhe ekipi përgjegjës për linjën muzeore prezantuan konceptin e parë arkitektonik, muzeologjik dhe identitetin vizual të këtij institucioni me rëndësi të veçantë kombëtare.

Në praninë e Prefektes së Qarkut Vlorë, ekspertëve të trashëgimisë kulturore, historianëve dhe grupeve të interesit, diskutimet u përqendruan te vlerat historike dhe simbolike që mbart ky objekt për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë, si edhe te ndërhyrjet restauruese dhe konservuese të nevojshme në godinën historike.

Projekti parashikon rikonceptimin e linjës muzeore, pasurimin e mënyrës së interpretimit të fondit muzeor dhe zhvillimin e elementeve të digjitalizimit, si dhe identitetit vizual, branding-ut dhe souvenir-eve të muzeut. Koncepti i ri arkitektonik propozon gjithashtu ndërtimin e një volumi të ri me hapësira multifunksionale, të menduara për aktivitete kulturore, edukative dhe ekspozuese.

Ky proces konsultimi përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një muzeu modern, që ruan autenticitetin e vendit ku u hodhën themelet e shtetit shqiptar dhe e afron historinë e Pavarësisë me brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Pas reflektimit të sugjerimeve dhe finalizimit të detajeve nga grupi i projektimit, do të zhvillohet edhe një dëgjesë e dytë publike për prezantimin e projektit të përfunduar.

Foto album, kliko këtu!