Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Një godinë e konceptuar për një realitet tjetër politik dhe shoqëror, për një Shqipëri të izoluar, Pallati i Kongreseve u shndërrua në një hapësirë që mirëpriti festivale, panaire, ekspozita, samite, aktivitete kulturore dhe artistike, duke u mezipërshtatur me ndryshimet e vendit, dëshmitar i përdorimeve dhe pësues i nevojave që nuk artikuloheshin dot lehtë me kufizimet e strukturës dhe mangésitë e funksionaliteteve, pa garazhe nëntokësore, pa shërbime e pa jetë kur s’ka evente, i ftohtë dhe jo i gjallë, pa natyrë multifunksionale, pa aplikim dinamik e pa standarde të përditësueshme në një epokë transformimesh.

Në realitetin e ri, kërkesat janë të tjera, nevojat janë më të mëdha, ambiciet janë më të larta. Dhe pikërisht për këtë arsye, na duhet një qendër e re më virtuoze e mé multifunksionale, moderne, e denjë për Tiranën e sotme dhe Shqipërinë që vjen.

Nuk bëhet fjalë vetëm për një godinë me kapacitete më të mëdha. Bëhet fjalë për një infrastrukturë moderne, të aftë të presë evente elitare ndërkombëtare të përmasave më të mëdha, artistë të njohur botërorë, kongrese, samite, ekspozita dhe aktivitete që kërkojnë standardet më të larta teknike, operative, logjistike dhe organizative.

Rikualifikimi i kësaj ndërtese emblematike të Tiranës, për ta shndërruar atë në një hapësirë praktike e të rinovuar, është një investim në shërbim të jetës kulturore, institucionale dhe publike, sikurse dhe një rritje ergonomie për tërë bllokun urban ku pozicionohet.

Njé hapësirë që të jetë avangard njëkohësisht si skenë kombëtare për talentet e reja shqiptare dhe si një skenë ndërkombëtare për ngjarjet që e lidhin vendin tonë me botën. Një simbol i ambicies sonë për të mos qenë spektatorë të zhvillimeve, por pjesëmarrës dhe protagonistë në to.

Qendra e re pulsuese në zemër të kryeqytetit që të mishërojë frymën e Tiranës së sotme: dinamike, krijuese, moderne, pa komplekse dhe e hapur. Që të ndërthurë traditën me inovacionin, kujtesën me të ardhmen, funksionalitetin me ekselencën arkitektonike, jetën urbane dhe kulturore, duke ruajtur vlerën e trashëgimisë si dhe të rrisë efiçencën dhe rolin e ndërtesës e në mënyrë të veçantë vlerën ekonomike të Pallatit të Kongreseve.

Konkursi ku sot garojnë studio prestigjioze ndërkombëtare të arkitekturës provon interesin e tyre, tregues i qartë i reputacionit që Tirana ka fituar dhe i besimit që ekziston tek potenciali i qytetit dhe tek vizioni ynë.

Sot ne hedhim një hap të rëndësishëm drejt jetëzimit të këtij vizioni. Shpallja e fituesit nuk është fundi i një gare, por fillimi i një sfide të re: ndërtimi i një vepre që do t’i shërbejë brezave, do të pasurojë jetën sociale të vendit dhe do të bëhet një simbol i Shqipërisë së re duke i dhënë një tjetër shije përvojës së vizitorëve dhe kërshërisë ndaj kalimtarëve përreth.

Foto album, kliko këtu!