Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Një maratonë ndeshjesh që nisi më 26 maj, kulmoi mbrëmë në Sheshin Skënderbej me finalet e mëdha të FIP Platinum Albania, duke mbyllur një javë të paharrueshme jo vetëm për padelin, por për të gjithë sportin në tërësi.

Për pesë ditë me radhë, rreth 20 mijë spektatorë ndoqën nga afër emocionet e këtij eventi të jashtëzakonshëm, ku morën pjesë 150 sportistë nga vende të ndryshme të botës dhe ku garuan shumë prej emrave më të spikatur të renditjes ndërkombëtare.

Në finalen e meshkujve, Franco Stupaczuk dhe Mike Yanguas konfirmuan statusin e favoritëve duke fituar titullin pas një ndeshjeje spektakolare ndaj surprizës së turneut, David Gala dhe Enzo Jensen, të cilët kishin eliminuar më herët disa nga çiftet më të forta të garës.

Në kategorinë e femrave, Marina Guinart dhe Veronica Virseda triumfuan në finale ndaj Ale Salazar dhe Ale Alonso, duke siguruar titullin e tyre të parë të vitit.

Tirana u shndërrua në një skenë të denjë për sportin elitar, duke dëshmuar se Shqipëria ka kapacitetet, energjinë dhe vizionin për të organizuar me sukses ngjarje sportive të nivelit më të lartë ndërkombëtar. Ky turne ishte shumë më tepër se një garë sportive; ishte një mundësi e shkëlqyer për promovimin e vendit tonë, për forcimin e imazhit të Shqipërisë si destinacion turistik e sportiv dhe për të afruar mijëra të rinj me vlerat që përcjell sporti. Jam shumë i lumtur dhe i privilegjuar që gjatë mandatit tim si Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, falë mbështetjes së Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe qeverisë shqiptare, arritëm të organizonim një aktivitet të këtyre përmasave, që e vendosi Shqipërinë në hartën e eventeve më të rëndësishme ndërkombëtare të padelit dhe që do të mbetet një moment i rëndësishëm në historinë e sportit shqiptar.

Faleminderit FIP, FSHP dhe çdo mbështetësi e bashkëpunëtori!

Foto album, kliko këtu!