Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Elkana Himçi është një profesioniste me mbi 15 vite eksperiencë në administratën publike dhe sektorin privat, me ekspertizë në koordinim kombëtar dhe ndërkombëtar, menaxhim projektesh me financim të huaj dhe zhvillim strategjik.

Karrierën e nisi në fushën e telekomunikacionit pranë Albtelecom SHA, në operacione dhe më pas në Departamentin e Financës, ku ndërtoi bazë të fortë analitike dhe menaxheriale në planifikim, kontroll financiar dhe optimizim procesesh.

Prej vitit 2015 është pjesë e administratës qendrore shqiptare, duke shërbyer në Ministrinë e Integrimit Evropian dhe në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku u angazhua në zbatimin e fondeve IPA për programet Ndërkufitare dhe Transnacionale, përfaqësoi Shqipërinë në struktura ndërkombëtare dhe kontribuoi në realizimin e projekteve shumëpalëshe me partnerë evropianë.

Në vijim, në Ministrinë e Brendshme koordinoi projekte me financim të huaj, ndërsa në Agjencinë Kombëtare për Kontrollin e Cannabis-it ishte përgjegjëse për sigurimin e fondeve ndërkombëtare, ndërtimin e partneriteteve institucionale dhe koordinimin e komunikimit publik — eksperienca që kanë forcuar aftësitë e saj në promovim, bashkëpunim ndërinstitucional dhe përfaqësim strategjik.

E diplomuar në Menaxhim Biznesi – Marketing dhe me dy mastera në Administrim Biznesi dhe Menaxhim Turizmi, si dhe e trajnuar në institucione ndërkombëtare si Science Po Paris, College of Europe, Shkolla e Studimeve Politike dhe OSBE, ajo sjell një kombinim të qartë mes menaxhimit, politikave publike dhe zhvillimit të sektorit turistik.

Si Drejtoreshë e Promovimit të Turizmit, Elkana fokusohet në forcimin e imazhit të destinacionit, ndërtimin e partneriteteve strategjike dhe promovimin e qëndrueshëm të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.