Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Benida Kraja ka lindur në Tiranë në vitin 1990 dhe është arkitekte restauratore me një profil të konsoliduar profesional në fushën e trashëgimisë kulturore, arkitekturës dhe politikave publike. Që nga janari 2025 e në vijim, ajo mban pozicionin e Drejtorit të Politikave për Trashëgiminë Kulturore në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit , ku angazhohet në hartimin dhe zhvillimin e politikave kombëtare për mbrojtjen, menaxhimin dhe rijetëzimin e pasurive kulturore. Më herët, në periudhën shtator 2023 – janar 2025, ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Zhvillimit të Projekteve në Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, duke drejtuar projekte strategjike në fushën e biodiversitetit dhe zonave të mbrojtura, përfshirë Planin e Integruar të Menaxhimit të Parkut Kombëtar Lumi Vjosa dhe Projektit të Qendrës Multifunksonale të Vizitorëve për PKLM.

Në vitin 2015, Benida Kraja është diplomuar me Master Shkencor në Arkitekturë pranë Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Universiteti Politeknik i Tiranës, ndërsa në vitin 2018 ka përfunduar Master of Science në Arkitekturë Inxhinierike në Politecnico di Milano, me fokus në projektim të qëndrueshëm dhe ndërhyrje urbane, arkitekturore dhe të restaurimit.

Gjatë karrierës së saj profesionale, i janë besuar role të rëndësishme institucionale, si Këshilltare në Kabinetin e Ministrisë së Kulturës, Përgjegjëse Sektori në Sekretarinë Teknike, si dhe Arkitekte Restauratore në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, duke kontribuar në projekte madhore restaurimi, rijetëzimi dhe muzealizimi në nivel kombëtar. Që prej vitit 2019, ajo është Pedagoge e Jashtme në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës dhe pjesë aktive e projekteve kërkimore shkencore dhe konferencave kombëtare e ndërkombëtare, me fokus në trashëgiminë kulturore, reziliencën urbane dhe zhvillimin e qëndrueshëm.