Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Pasuria e jashtëzakonshme kulturore e Shkodrës ishte në qendër të takimit të Ministrit Blendi Gonxhja me Kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, dhe stafin teknik të MTKS. Diskutuan mbi një vizion të ri kulturor për Shkodrën, ku trashëgimia, turizmi, mobiliteti i qëndrueshëm dhe infrastruktura moderne ndërthuren në një qasje të unifikuar zhvillimi.

Në thelb të vizionit që po ndërtohet qëndron projekti strategjik “Porta e Alpeve”, një korridor i ri kulturor dhe turistik që synon ta shndërrojë Shkodrën në hyrjen kryesore të Alpeve Shqiptare, duke lidhur transportin e gjelbër, hapësirat publike dhe ofertën kulturore në një strukturë të integruar.

Vizioni kulturor për Shkodrën përfshin ngritjen e një rrjeti muzesh në trajtën e Museum Quarter, një pol i ri muzeor dhe kreativ që vendos kulturën në qendrën e zhvillimit urban, itinerare të gjelbra për këmbësorë dhe biçikleta, që lidhin monumentet, muzetë dhe hapësirat historike me njëra-tjetrën, si dhe rijetëzimi i muzeve dhe banesave historike, duke forcuar identitetin kulturor dhe duke krijuar hapësira të reja për publikun.

Kjo qasje e re synon të ruajë dhe të valorizojë trashëgiminë e pasur të Shkodrës, duke e shndërruar atë jo vetëm në një destinacion kulturor të nivelit të lartë, por edhe në një qendër të qëndrueshme zhvillimi për gjithë rajonin.

Foto Album, kliko këtu!