Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Ministri Blendi Gonxhja ka zhvilluar një takim në Milano me Kryebashkiakun e Astit dhe njëkohësisht Kryetar i Provincës, Maurizio Rasero, ku është vlerësuar integrimi i shkëlqyer i komunitetit shqiptar në rajonin e Piemontes. Asti, një nga qytetet italiane me numrin më të lartë të shqiptarëve – mbi 4 mijë banorë – ka qenë ndër vendet e para që hapi dyert për qytetarët shqiptarë gjatë eksodit historik të vitit 1991. Kryebashkiaku Rasero ka theksuar se shqiptarët sot janë pjesë integrale e jetës sociale, kulturore, ekonomike dhe të biznesit në qytetin që ai drejton në kuadër të Forza Italia, duke shprehur interesin për një vizitë zyrtare që do të forconte më tej lidhjet mes dy komuniteteve.

Në vijim, përmes programit të ri CulturAlb dhe nismave të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, parashikohen projekte dhe aktivitete të posaçme për t’u afruar më shumë me diasporën shqiptare në Itali dhe në vende të tjera, me synimin për të ruajtur e promovuar rrënjët kulturore dhe historike shqiptare, si dhe për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe turizmit.