Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Në Komisionin për Çështjet Europiane dhe të Punëve të Jashtme

Sot, përfaqësuesit e Ministrisë së Turizmit, Kultures dhe Sportit znj. Lira Pipa, Zv/Ministre, znj. Anisa Pollo dhe znj. Sara Bodo, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, ishin të pranishme për të prezantuar dhe mbrojtur projektligjin e ri “Për Vullnetarizmin”, që vjen si rishikim i ligjit ekzistues nr. 45/2016.

Ky rishikim reflekton rekomandimet e Këshillit të Europës dhe të Bashkimit Europian për forcimin e mobilitetit të vullnetarëve të rinj dhe përmirësimin e kuadrit ligjor kombëtar në përputhje me standardet europiane.

Projektligji parashikon:

  • Zgjerimin e mundësive për mobilitet ndërkombëtar të të rinjve vullnetarë, në kuadër të programeve të BE-së dhe partneriteteve rajonale;
  • Skema financiare dhe instrumente mbështetëse për nxitjen e pjesëmarrjes në vullnetarizëm, përmes fondeve publike dhe programeve ndërkombëtare;
  • Skemë kompensimi dhe sigurimi për mbrojtjen e vullnetarëve nga aksidentet dhe sëmundjet profesionale;
  • Krijimin e Regjistrit Elektronik të Vullnetarizmit, që garanton transparencë, vlerësim të kontributit dhe njohje të përvojës vullnetare si eksperiencë pune;
  • Platformën elektronike të vullnetarizmit, për të lidhur më lehtë vullnetarët me organizatat dhe institucionet ofruese;
  • Nxitjen e përfshirjes së të rinjve, të miturve dhe grupeve të margjinalizuara në veprimtari vullnetare që forcojnë solidaritetin dhe qytetarinë aktive.

Ky projektligj përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përafrimit me standardet europiane, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e vullnetarizmit si kulturë solidariteti, përfshirjeje dhe zhvillimi shoqëror në Shqipëri