Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Zëvendësministri i Sportit, Endrit Hoxha, mori pjesë në aktivitetin ndërkombëtar “ACES – Territori in Movimento”, zhvilluar në kuadër të panairit prestigjioz TTG Rimini, ku sporti u prezantua si motor i zhvillimit të qëndrueshëm. Në këtë nismë të rëndësishme, përfaqësues institucionesh, biznese dhe aktorë kryesorë të turizmit u bashkuan për të diskutuar mbi rolin e sportit në zhvillimin e qëndrueshëm, përfshirjen sociale dhe promovimin e territorit si destinacion turistik gjithëvjetor. Gjatë fjalës së tij, zëvendësministri Hoxha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve lokale dhe ndërkombëtare për të forcuar lidhjen mes sportit dhe turizmit, duke e parë atë si një mjet të fuqishëm për imazhin pozitiv dhe të qëndrueshëm të Shqipërisë në Evropë.
Tre qytete shqiptare janë tashmë pjesë e rrjetit evropian të qyteteve që promovojnë sportin si stil jetese dhe zhvillim të komunitetit: Tirana – Qyteti Europian i Sportit 2023; Vlora – Qyteti Evropian i Sportit 2024; Shkodra – Qyteti Evropian i Sportit 2025. Ky vlerësim dhe pjesëmarrja në këtë forum ndërkombëtar konfirmojnë angazhimin e Shqipërisë për të vendosur sportin në zemër të imazhit të saj kombëtar, si një instrument për zhvillim të qëndrueshëm, promovim kulturor dhe integrim evropian të territoreve tona.