Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Në kuadër të vizionit për zhvillimin e industrive kreative dhe të turizmit kulturor, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, mirëpriti në një takim përfaqësuesit e Universal
Music Hospitality & Lifestyle, z. Robert Lavia (CEO), z. Maxi Johal dhe z. Massimo Tucci nga Tucci Associates. Universal Music Group, kompania më e madhe muzikore në botë, përfaqëson disa nga artistët më të njohur globalisht: nga The Beatles, U2, Andrea Bocelli, Elton John, Rihanna, Lady Gaga, Taylor Swift, Eminem, Lana Del Rey e deri te Billie Eilish, dhe interesi i saj për Shqipërinë sjell një vëmendje të re ndërkombëtare për vendin tonë. Në takim u diskutuan mundësitë për të kombinuar turizmin me artin dhe industrinë e mikpritjes, përmes një modeli inovativ që ndërthur investimet në hoteleri me hapësira për artistët, studio krijuese, teatro dhe prodhime artistike nga studio prestigjioze si Universal Video. Ky interes për Shqipërinë, pas projekteve të suksesshme në Europë dhe Amerikë, është një mundësi strategjike për vendin tonë, që e pozicionon si një destinacion tërheqës për krijimtarinë, artin dhe turizmin elitar, në bashkëpunim me World Tourism Organization dhe partnerë ndërkombëtarë të nivelit më të lartë.