Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, së bashku me kryeministrin Edi Rama, morën pjesë në Forumin e Investimeve “Albania: A New Frontier”, zhvilluar në Vjenë, Austri, ku
u takuan me investitorë austriakë dhe ndërkombëtarë për të prezantuar mundësitë konkrete të investimeve dhe bashkëpunimeve në Shqipëri. Gjatë forumit, u prezantuan projektet strategjike dhe fushat prioritare të zhvillimit përmes Korporatës së Investimeve Shqiptare, Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Grupit bankar Raiffeisen, si dhe në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me kompani shqiptare. Nga një “xhevahir i fshehur” vetëm pak vite më parë, Shqipëria është shndërruar në një destinacion të njohur në hartën mesdhetare, duke pritur miliona vizitorë dhe duke gjeneruar ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit. Sot, Shqipëria po afirmohet si një terren ideal për investime strategjike, jo vetëm në turizëm,
mikpritje dhe real estate, por edhe në energji, infrastrukturë dhe teknologji. Me rritjen e qëndrueshme të sektorit të turizmit, zhvillimin e pasurive të paluajtshme, hyrjen e brandeve globale dhe arkitektëve ndërkombëtarë, si dhe me projektet transformuese të marinave të Durrësit dhe Vlorës, vendi po konsolidohet si një portë e re e investimeve në rajon. Shqipëria ofron mundësi të menjëhershme dhe siguri afatgjatë për investitorët. Vizioni i qeverisë shqiptare është i qartë: të ndërtohet një destinacion katërstinor, me standarde ndërkombëtare, zhvillim të qëndrueshëm dhe një klimë investimi konkurruese në Mesdhe, që e vendos Shqipërinë në hartën e vendeve më tërheqëse për investime në rajon.